1. TË VEPROSH SI NJË OJF/ENT PUBLIK
1.1. INFORMACION VJETOR
Organizatat Jofitimprurëse dhe Entet publike/Ndërmarrjet shtetërore përbëjnë një pjesë të rëndësishme të aktivitetit të shoqërisë shqiptare nga pikëpamje sociale dhe ekonomike. Me qëllim pasjen mundësi të lehtësimit të ushtrimit të veprimtarisë së këtyre dy kategorive, Administrata Tatimore duke përdorur të gjitha mjetet e komunikimit, përfshirë median e shkruar dhe atë elektronike, informon publikun për përmbajtjen, rolin dhe rëndësinë e legjislacionit tatimor, nëpërmjet pasqyrimit dhe publikimit të materialeve sqaruese, komentarë dhe materiale të tjera shpjeguese, në lidhje me legjislacionin tatimor, me synim nxitjen e pajtueshmërisë vullnetare me kuadrin fiskal.

1.1.1. KËRKESAT PËR INFORMACION
Përveç detyrimeve të administratës tatimore për informim, tatimpaguesi gjithashtu ka detyrimin ligjor për të vënë në dispozicion informacione të cilat lidhen me çështje tatimore. Me kërkesën e administratës tatimore, palët e treta japin informacion, me shkrim ose me gojë, vënë në dispozicion librat dhe regjistrimet, si dhe informacion tjetër për detyrimin tatimor të një tatimpaguesi, me të cilin ata kanë hyrë në transaksione tregtare ose financiare. Ky detyrim përfshin, por nuk kufizohet në:
Me kërkesë të administratës tatimore, për qëllim të zbatimit të marrëveshjeve ndërkombëtare për çështjet tatimore ose për qëllim të marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat parashikojnë
asistencë administrative në çështjet tatimore, të cilat janë në fuqi në Republikën e Shqipërisë, çdo person duhet të japë informacion në përputhje me dispozitat e marrëveshjeve
ndërkombëtare në fushën tatimore, përfshirë, por pa u kufizuar, në informacionin e mbajtur nga banka dhe institucione të tjera financiare. Nenet 60-61, Ligjit Nr.9920 datë 19.05.2008 “Për Proçedurat Tatimore në R.Sh” – i ndryshuar

1.1.2. SIGURIMI PËR PËRGJEGJËSITË TATIMORE DHE DEKLARIMIN
Lehtësitë dhe përjashtimet e organizatave jofitimprurëse nga detyrimet tatimore dhe doganore caktohen me ligj. Organizatat jofitimprurëse dhe entet publike/ndërmarrjet shtetërore për
veprimtarinë që ushtrojnë kanë për detyrim mbajtjen e llogarive dhe raportimin e tyre sipas legjislacionit në fuqi. Tatimpaguesi vë në dispozicion të administratës tatimore librat, regjistrimet,
informacionin, dokumentet e nevojshme për të kryer llogaritjen e saktë të detyrimeve të tyre tatimore, si dhe me kërkesë të administratës tatimore, jep shpjegime shtesë, me gojë ose me shkrim në lidhje me, por pa u kufizuar në:

a) plotësimin, nënshkrimin dhe kthimin e pyetësorëve ose të kërkesave të tjera me shkrim për informacione apo dokumente nga administrata tatimore, brenda 20 ditëve nga data e postimit të kërkesës ose e dërgimit elektronik të tatimpaguesit;
b) takimin me punonjës të administratës tatimore gjatë orarit të punës, për t’iu përgjigjur pyetjeve dhe për të dhënë informacion, sipas ligjit. Për sa kohë që nuk parashikohet ndryshe apo në ato raste ku nuk kanë përjashtim nga tatime të caktuara apo lehtësi fiskale, këto tatimpagues duhet të sigurohen midis të tjerave për mbajtjen e kontabilitetit dhe rarpotimin kontabël dhe financiar në përputhje me SKK, si dhe sigurimin për përgjegjësitë tatimore si:
■ Sigurimet shoqërore dhe shëndetësore:
Tatimpaguesi duhet të mundësojë, krahas nënshkrimit të kontratave të punës, edhe sigurimin dhe deklarimin e punonjësve. Kontributet e sigurimeve shoqërore janë detyrim për çdo të
punësuar e punëdhënës. Ato paguhen pjesërisht nga punëdhënësi dhe pjesërisht nga punëmarrësi sipas përcaktimeve ligjore.
 E-SIG 027 është formulari që shërben për deklarimin e punonjësve për herë të parë, pas regjistrimit, për marrjen në punë, si dhe për largimin e tyre. Pas regjistrimit fillestar,
çdo tatimpagues duhet të bëjë deklarimin e administratorit dhe të punonjësve duke dorëzuar elektronikisht formularin E-SIG 027. Personi juridik e fizik është i detyruar të deklarojë zyrtarisht, në organin tatimor, çdo punonjës që fillon punë për herë të parë te subjekti apo të punësuar rishtazi pranë tij, të paktën një ditë kalendarike përpara fillimit të punës.
Të larguarit nga puna subjektet duhet t’i deklarojnë zyrtarisht në organin tatimor brenda 10 ditëve kalendarike nga data e largimit.
 E-SIG 025 është listëpagesa e tatimpaguesit. Ky formular shërben për deklarimin e tre lloje tatimesh; të Sigurimeve Shoqërore, të Sigurimeve Shëndetësore dhe të Ardhurave
nga Punësimi për të punësuarit. Listëpagesa (me përjashtim të rasteve të përcaktuara ndryshe me ligj) është e përmuajshme – si rregull dorëzimi i SIG 25 bëhet nga data 1-20 te muajit pasardhës.
Sipas Ligj Nr.9136, Datë 11.9.2003 – i ndryshuar “Për Mbledhjen e Kontributeve të Detyrueshme të Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore ne Republikën e Shqipërisë”
■ Tatimi mbi Vlerën e Shtuar
Pavarësisht nëse subjekti është OJF ose Ent publik/Ndërmarrje shtetërore, edhe nëse kërkon të jetë i përjashtuar nga TVSH, (për sa kohë që nuk gëzon statusin e përftimit publik,
apo mos cënimit të konkurencës nga veprimtaria që ushtron, për të cilat tatimpaguesi duhet t’i referohet ligjit për OJF dhe të TVSH-së) regjistrohet dhe bën deklarimin e TVSH sipas Ligjit për TVSh-në, Udhëzimit respektive, dhe VKM-ve në kuadër të TVSH-së. Si rregull, deklarimi dhe pagesa për muajin aktual bëhet brenda datës 14 të muajit pasardhës.
■ Librat e blerjes dhe të shitjes
 Faturat e shitjes/blerjes. Për çdo shitje duhen lëshuar fatura tatimore, dëftesa tatimore ose kupon tatimor për të tretët. Gjithashtu për çdo blerje duhet pajisja me faturë tatimore, dëftesë tatimore, ose kupon tatimor (i cili i bashkëngjitet faturës tatimore të blerjes) nga shitësit.
 Të gjithë faturat e grumbulluara nga transaksionet e kryera, duhet të regjistrohen në mënyrë sistematike, përkatësisht në librin e shitjes dhe në librin e blerjes. Deklarimi i librave, si rregull, për muajin aktual bëhet brenda datës 10 të muajit pasardhës.
■ Tatimi mbi fitimin
Edhe nëse OJF-të dhe Entet publike/Ndërmarrjet shtetërore përjashtohen nga tatimi mbi fitimin, Sipas Ligjit Nr. 8438, Datë 28.12.1998 “Për Tatimin mbi të Ardhurat” – i ndryshuar,
neni 18, parashikohet se: “Të gjitha subjektet e përmendura në shkronjën “a” deri në shkronjën “f”. të këtij neni, pavarësisht nga përjashtimi nga pagimi i tatimit mbi fitimin, janë të detyruara
të dorëzojnë në organet tatimore deklaratën tatimore dhe bilancin vjetor, në të njëjtat afate si subjektet, që i nënshtrohen tatimit mbi fitimin, ku si rregull për vitin aktual, afati i fundit i dorëzimit të deklaratë së Tatimit mbi Fitimin është data 31 Mars e vitit pasardhës, bashkë me pasqyrat financiare që përbëjnë bilancin.”
■ Tatimi në burim
Tatimpaguesi gjithashtu duhet të sigurohet edhe regjistrimin e të tjera përgjegjësive tatimore si tatimi në burim, ku si rregull për muajin aktual, afati i fundit i deklarimit dhe derdhjes së tatimit
të mbajtur në burim është data 20 e muajit pasardhës.
 Tatimpaguesi, pavarësisht nëse është OJF ose Ent publik/ndërmarrje shtetërore, mund dhe duhet të sigurohet edhe për regjistrimin e përgjegjësive tatimore të tjera që i takojnë, si dhe deklarimin e pagesën e detyrimeve fiskale, sipas legjislacionit në fuqi, në përputhje me veprimtarinë që ai ushtron.
 Pas deklarimit elektronik në E-filing, për llojet e tatimeve për të cilët është përgjegjës, tatimpaguesi (në rast se ka kryer aktivitet) duhet të bëjë pagesën për detyrimet tatimore (nëse ka) të deklaruara. Kjo bëhet duke gjeneruar urdhër pagesat, pas deklarimit.
 Tatimpaguesi mund t’i paguajë detyrimet tatimore në mënyrë elektronike, nëpërmjet bankave, institucioneve të tjera financiare ose të autorizuara, që kanë lidhur marrëveshje me administratën tatimore, për të pranuar këto pagesa
 Përgjithësisht afatet e pagesës janë të njëjta me ato të deklarimit. Kur afati i fundit për pagesën e detyrimit tatimor bie në ditë pushimi, data e pagesës së tatimit është dita e parë e punës, pas ditës së pushimit. Të gjitha pagesat tatimore kryhen në lekë